Kodi i Etikes

Miratuar nga Bordi Ekzekutiv i SHSSH, ky kod është bazuar në Kodin e Etikës të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, parimet e të cilit janë të detyrueshme për anëtarët e rregullt e kolektivë të saj, siç është Shoqata Sociologjike Shqiptare (SHSSH).

Prezantimi

Kodi i Etikës i Shoqatës Sociologjike Shqiptare (ALBSA) përbëhet nga një Hyrja dhe katër grupe të Standardeve Specifike Etike. Anëtarësimi në ALBSA i detyron anëtarët t'i përmbahen asaj.

Kodi i Etikës nuk është shterues, gjithëpërfshirës apo i ngurtë. Fakti që një sjellje e veçantë nuk trajtohet në mënyrë specifike nga Kodi i Etikës nuk nënkupton që sjellja është domosdoshmërisht etike ose joetike.

Hyrje

Sociologët dhe studiuesit e shkencave sociale e humane punojnë për të zhvilluar një korpus të besueshëm dhe të vlefshëm të njohurive shkencore bazuar në kërkime dhe, në këtë mënyrë, për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve.

Qëllimet kryesore të Kodit të Etikës, një simbol i identitetit të SHSSH, janë (1) për të mbrojtur mirëqenien e grupeve dhe individëve me të cilët dhe mbi të cilët punojnë sociologët dhe studiuesit e shkencave sociale, ose që janë të përfshirë në punën kërkimore të tyre dhe (2) për të orientuar sjelljen e anëtarëve të SHSSH, ndërmjet tyre dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi.

Çdo studiues zbaton në mënyrë krijuese kërkesat e Kodit të Etikës, bazuar në vlerat, kulturën dhe përvojën e vet personale. Por në çdo rast u përmbahet standardeve të përshkruara në këtë Kod të Etikës. Është përgjegjësia individuale e çdo sociologu që të operojë me standardet më të larta të sjelljes.

Efikasiteti i një Kodi Etike bazohet kryesisht në vetëdisiplinën dhe vetëkontrollin e atyre që e aplikojnë.

1. Sociologjia si fushë studimi dhe praktikë shkencore

Si studiues, sociologët pritet të bashkëpunojnë në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar mbi bazën e korrektësisë shkencore, pa asnjë diskriminim për shkak të moshës, gjinisë, preferencës seksuale, përkatësisë etnike, gjuhës, fesë apo përkatësisë politike.

a. Puna në grup, bashkëpunimi dhe shkëmbimet e nëdrsjellta midis sociologëve dhe studiuesve socialë janë të domosdoshme për të realizuar qëllimet. Studiuesit marrin pjesë në diskutime për krijimtarinë e tyre, si dhe për punën shkencore të të tjerëve.

b. Sociologët duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se supozimet e tyre mund të kenë ndikim mbi shoqërinë. Prandaj, detyra e tyre është që, nga njëra anë, të mbajë një qëndrim të paanshëm sa më shumë që të jetë e mundur, ndërsa në anën tjetër të pranojë karakterin tentativ dhe relativ të rezultateve të hulumtimit të tyre. Asnjë përfundim sociologjik nuk duhet të paraqitet si e vërtetë e padiskutueshme.

c. Sociologët dhe studiuesit socialë duhet të punojnë për të ruajtur imazhin dhe integritetin e disiplinës së tyre; kjo nuk nënkupton që ata të heqin dorë nga qasjet kritike ndaj gjetjeve, metodave dhe rezultateve të saj.

d. Parimet e të qenit i hapur e kritik, si dhe respekti për të gjitha këndvështrimet shkencore, duhet të zbatohen në mësimdhënie dhe në praktikat profesionale të sociologëve dhe studiuesve socialë.

e. Sociologët dhe studiuesit socialë respektojnë të drejtat e nxënësve dhe klientëve të tyre.

2. Procedurat e hulumtimit

I. Sponsorët

a. Aktiviteti kërkimor në sociologji mbështetet domosdoshmërisht në fonde private ose publike dhe, kështu, varet në një farë mase nga sponsorizimi. Por sponsorët, qofshin ata privatë apo publikë, mund të jenë të interesuar për një rezultat specifik të hulumtimit. Sociologët nuk duhet të pranojnë grante kërkimi ose kontrata me kushte që nuk janë në përputhje me gjykimin e tyre shkencor mbi mjetet e duhura për kryerjen e hulumtimit, të lejojnë sponsorët që të vënë veton, apo të vonojnë publikimin akademik në rastet kur nuk i pëlqejnë gjetjet e tyre.

b. Sponsorët duhet të informohen paraprakisht për kërkesat e projekteve kërkimore, si dhe për metodat që studiuesit janë të gatshëm të aplikojnë. Sponsorët, gjithashtu, duhet të këshillohen për ndikimin negativ që mund të ketë në rastet kur gjetjet i një hetimi nuk përdoret në përputhje me standardet etike.

c. Sponsorët, privatë dhe publikë, mund të jenë veçanërisht të interesuar në financimin e hulumtimeve sociologjike për qëllime politike. Pavarësisht nëse i ndajnë apo nuk ndajnë me to këto synime, sociologët nuk duhet t'i nënshtrohen atyre. Ata, gjithashtu, duhet të evitojnë çdo lloj bashkëpunimi që ndikon në përmbushjen e qëllimeve jodemokratike ose diskriminuese.

d. Marrëveshja me kushtet e dakordësuara midis kërkuesve dhe sponsorëve duhet të bëhet me shkrim. Fondet e parashikuara për hulumtime sociologjike duhet të përdoren për qëllimin e dakordësuar; kërkuesit nuk duhet të konkurrojnë me ofertues të tjerë duke përdorur taktika të padrejta, që nuk përputhen me standardet e duhura shkencore.

II. Mbledhja e të dhënave

a. Siguria, anonimiteti dhe privatësia e subjekteve kërkimore si dhe e individëve që japin informacion kërkimor duhet të respektohen në mënyrë rigoroze, si në kërkimet sasiore ashtu edhe në ato cilësore. Burimet e informacionit personal të marrë nga hulumtuesit duhet të mbete konfidenciale, përveç rasteve kur individët që japin informacion kërkimor kërkojnë të citohen. Pagesa e individëve që japin informacion kërkimor, ndonëse e pranueshme në parim, duhet të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur, pasi mund të ndikojë në besueshmërinë e informacionit të dhënë.

b. Studiuesit që përdorin të dhënat e grumbulluara nga arkivat historike, si privatë ashtu edhe publikë, respektojnë privatësinë e kushteve në të cilat janë mbledhur të dhënat, kushtet ligjore të përcaktuara, si dhe rregullat e arkivit.

c. Pëlqimi i subjekteve për t’u bërë objekt kërkimi si dhe i atyre që japin nformacion kërkimor duhet të merret paraprakisht. Hulumtimi i fshehtë duhet të shmanget në parim, përveçse nëse ajo është metoda e vetme me anë të së cilës mund të mblidhen të dhëna, ose kur qasja në burimet e zakonshme të informacionit pengohet nga ata që janë në pushtet.

3. Publikimi i të dhënave

a. Të dhënat e mbledhura nga aktivitetet kërkimore sociologjike dhe puna kërkimore përbëjnë pronësi intelektuale të kërkuesve të cilët, në parim, zotërojnë të drejtën e autorit (Copyright). Nëse Copyright-i i kalon një sponsori ose punëdhënësi, kërkuesit duhet të kompensohen në masën e duhur.

b. Në parim, hulumtuesit kanë të drejtë të dorëzojnë punën e tyre për botim, ose ta publikojnë atë me shpenzimet e tyre.

c. Hulumtuesit kanë të drejtë të sigurojnë që rezultatet e tyre të mos manipulohen, apo të nxirren jashtë kontekstit nga sponsorët.

d. Kontributi i studiuesve, sponsorëve, teknikëve ose bashkëpunëtorëve të tjerë që kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm në kryerjen e një projekti kërkimor, duhet të njihet në mënyrë të qartë në çdo botim të mëvonshëm.

e. Bazat e të dhënave dhe kërkimi, bëhen publike të shoqëruara me burimet e sakta të të dhënave (duke respektuar standardet e referencave në kërkimin shkencor), si dhe metodat që janë aplikuar.

f. Sapo të publikohet, informacioni rreth një projekti kërkimor duhet të konsiderohet si dije, në sfondin e përbashkët të komunitetit shkencor, e hapur për komente dhe kritika, ndaj të cilave studiuesit e tjerë kanë të drejtë të reagojnë.

4. Përdorimi jashtë-shkencor i rezultateve të hulumtimeve

1. Rezultatet e kërkimeve sociologjike mund të përbëjnë çështje me interes publik. Debati rreth nuk duhet dhe nuk mund të pengohet. Studiuesit, megjithatë, duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet që lidhen me shtrembërimet, thjeshtimet dhe manipulimet e materialeve të tyre kërkimore, të cilat mund të ndodhin në procesin e komunikimit përmes mediave individuale ose masive. Studiuesit duhet të jenë në gjendje dhe kanë të drejtë të ndërhyjnë për të korrigjuar çdo lloj keqinterpretimi ose keqpërdorimi të punës së tyre.

2. Studiuesit duhet të jenë të përmbajtur nga ofrimi i ekspertizës në fusha ku nuk kanë thellësinë e nevojshme të njohurive kërkimore, sidomos kur përfshihen në diskutime publike ose debate politikash publike.