Kodi i “Lëviz(ja) për një Shoqëri të Mirë”

(LSHM=LËVIZJE INTELEKTUALE, STUDENTORE, QYTETARE)

Ky Kod është simbol i identitetit të LSHM. Kërkesat e tij konsiderohen si kushtëzime morale për anëtarët e saj, të cilët angazhohen:

  1.  Për t’iu përmbajtur parimit se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi me disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria e kërkimi i lumturisë;
  2. Për të ndihmuar në modelimin e shoqërisë sipas standardeve etike në të gjitha nivelet e saj: në çift, në familje, në fqinjësi e komunitet, në punë e shkollë, deri në nivelin e gjithë shoqërisë;
  3. Për të ndikuar që arsimi të shpallet zyrtarisht e të shndërrohet realisht në prioritet kombëtar të shqiptarëve, duke e konsideruar atë çelës për një Shoqëri të Mirë; nxitja e lëvizjeve “Shkollë e Mirë - Shoqëri e Mirë”, “Universiteti për një Shoqëri të Mirë” etj.;
  4. Për të rritur rolin e shkencës, të studiuesve, intelektualëve, studentëve etj., në reformimin e shoqërisë, përmes studimeve që paraprijnë reformat, si dhe përmes angazhimit në lëvizje intelektuale e sociale, në debate publike, tubime, peticione etj.;
  5.  Për të zhvilluar kapitalizmin “kantian”, bazuar në parimin e “palëve të interesuara” (pavarësisht masës së fitimit), ku Njeriu është gjithnjë qëllim dhe asnjëherë mjet;  
  6.  Për të nxitur zbatimin e parimeve “bëj mirë atë që kemi në dorë, jep një shembull, krijo një model” & “Shoqëri e Mirë përmes akteve e veprime të mira”;
  7. Për të vlerësuar qytetarinë aktive si kusht për një Shoqëri të Mirë e për t’u angazhuar në jetën kolektive, në komunitete e në sferën publike, bazuar në parimin: “Mos prit, por gjej të ngjashmit (në vlera e interesa) e lëviz për një jetë të mirë, për një Shoqëri të Mirë”;
  8. LSHM ka rrjetin e saj, strukturat e organizimit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Disporë, si dhe ndjek rrugë e mënyra për rritjen e ndikimit pozitiv në shoqëri, si përmes “Koalicionit për një Shoqëri të Mirë” e në forma të tjera të mundshme. LSHM nuk ka kuota anëtarësie. Anëtarët kontribuojnë (sipas veçorive) për një qëllim të përbashkët kolektiv. Anëtarët e LSHM angazhohen për të mos lejuar asnjë manipulim (politik, apo të ndonjë lloji tjetër) që e devijon atë nga parimet e këtij Kodi.

Hartuar nga themluesit e LSHM;

25 Janar 2016

E-mail: shoqeriemire@gmail.com

Facebook: Lëvizja për një Shoqëri të Mirë