Statuti i Shoqatës Sociologjike Shqiptare

Hyrje

Statuti i Shoqatës Sociologjike Shqiptare është miratuar nga Asambleja
Themeluese, zhvilluar në Tiranë më 21 nëntor 2006, ku shoqata u themelua me
emrin Instituti Shqiptar i Sociologjisë (AIS). Ai është rishikuar gjatë riorganizimit
të shoqatës me emrin Shoqata Sociologjike Shqiptare (SHSSH) dhe është
miratuar nga Asambleja e pestë e mbajtur në Durrës më 22 nëntor 2013.

Neni 1: Emërtimi dhe misioni

1.1 Shoqata emërtohet “Shoqata Sociologjike Shqiptare, SHSSH” (në
anglisht “Albanian Sociological Association”, ALBSA).
1.2 SHSSH është organizatë joqeveritare e jofitimprurëse me anëtarësi.
Veprimtaria e saj bazohet në këtë statut.
1.3 Misioni i saj është të përfaqësojë studiuesit shqiptarë të sociologjisë
dhe shkencave sociale të afërta me të, pavarësisht këndvështrimeve shkencore,
bindjeve politike dhe ideologjike.

Neni 2: Karakteri, qëllimi, objekti i veprimtarisë

2.1 SHSSH krijohet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil të Republikës
së Shqipërisë dhe me ligjin “Për Organizatat Jofitimprurëse”, Nr. 8788, datë 7. 5.
2001, me ndryshime me ligj Nr. 9814/2007 dhe me ligj Nr. 92/2013.
2.2 SHSSH është e pavarur nga administrata publike, institucionet
shtetërore, politike apo fetare, qofshin këto shqiptare apo të huaja. Ajo nuk ndjek
qëllime ekonomike.
2.3 Qëllimi i SHSSH është të nxisë zhvillimin e të gjitha disiplinave të
sociologjisë e shkencave sociale të afërta me të; të koordinojë dhe nxisë
veprimtarinë shkencore të studiuesve socialë, kërkimin dhe debatin akademik; të
nxisë përgatitjen e specialistëve të rinj të fushës, punësimin e tyre, kualifikimin
shkencor pasuniversitar; të rritë ndikimin e shkencave sociale dhe të studiuesve
socialë në zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë.
2.4 Objekti i veprimtarisë së SHSSH përfshin: studime e veprimtari
shkencore (simpoziume, seminare, konferenca, tryeza diskutimesh, leksione,
kurse trajnimi etj.); bashkëpunim shkencor me universitete publike e jopublike,
me organizata, shoqata dhe institucione shqiptare e të huaja; botime librash e
periodikësh shkencorë; veprimtari të tjera të ligjshme për realizimin e qëllimeve
të përcaktuara në këtë statut.

Neni 3: Juridiksioni, selia dhe shtrirja

3.1 SHSSH është organizatë jofitimprurëse me anëtarësi. Numri minimal i
anëtarëve duhet të jetë njëzet e një. SHSSH fiton cilësinë e personit juridik nga
data e regjistrimit në gjykatë.
3.2 SHSSH ka selinë e vet në Tiranë, në adresën: rruga “Abdyl Frashëri”,
pall. 3/3. Adresa ndryshon me vendim të Kryesisë.
3.3 Shoqata ka degë në rajone të Shqipërisë, apo edhe jashtë saj.

Neni 4: Anëtarët

4.1 Anëtarët e SHSSH janë individë ose kolektivë. Ata mund të jenë
anëtarë të rregullt ose korrespondentë.
4.2 Anëtarë kolektivë mund të jenë shoqata e organizata lokale,
institucione e qendra kërkimore, departamente të sociologjisë apo shkencave të
tjera sociale, fakultete etj. Vlerësimi për anëtarësimet kolektive bëhet nga Bordi
ekzekutiv (Kryesia).
4.3 SHSSH është institucion i hapur për të gjithë ata individë që punojnë,
krijojnë, japin mësim apo studiojnë për sociologji apo disiplina të afërta me të, pa
dallime për shkak të bindjeve personale, përkatësive partiake, gjinore, fetare,
etnike, pasurore etj. Vlerësimi për individët bëhet nga Komisioni i Anëtarësisë e
Financave.
4.4 Anëtarët me moshë mbi 65 vjeç konsiderohen anëtarë të përhershëm.
Ata konsiderohen në pozita korrekte nga çasti i anëtarësimit, ose për anëtarët
efektivë, nga koha kur ata mbushin moshën 65 vjeç.
4.5 Anëtarë Nderi të SHSSH mund të jenë individë, shqiptarë ose të huaj,
me veprimtari të spikatur shkencore e botuese, apo me kontribute të tjera të
veçanta kundrejt saj. Vendimet për anëtar nderi merren nga Asambleja.
4.6 Anëtarë korrespondentë mund të jenë individë me cilësi të afërta me
anëtarët e asamblesë por që nuk jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë,
si dhe profesionistë të fushave të tjera me krijimtari apo kontribute që përkojnë
me objektin e veprimtarisë së shoqatës.
4.7 Anëtarë studentë janë individë që studiojnë për sociologji apo shkenca
të afërta me të. Ata formojnë seksionin e studentëve.

Neni 5: Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve

5.1 Anëtari i SHSSH vlerësohet se është në pozitë korrekte (good
standing) nëse paguan kuotizacionin e anëtarësisë dhe voton sipas statutit.
Kuotat e anëtarësisë përcaktohen nga Kryesia, me propozim të Komisionit të
Anëtarësisë e Financave.
5.2 Çdo anëtar në pozita korrekte ka të drejtë:
Të marrë pjesë në veprimtaritë e shoqatës, të zgjedhë dhe të zgjidhet;
Të bëjë pjesë në 1-3 Seksione Tematike;
Të marrë pjesë në votimet referendare;
Të marrë pa pagesë variantin elektronik të periodikëve shkencorë;
Të marrë pjesë pa pagesë në konferencat apo aktivitetet e tjera shkencore
- kombëtare apo ndërkombëtare të SHSSH, si dhe me tarifë sa më të reduktuar
(nën 50 për qind) për ato që zhvillohen të përbashkëta me institucione të tjera.
Të përfaqësojë shoqatën në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, duke
respektuar rregullat e delegimit dhe të informimit, të vendosura nga Kryesia.
Të aplikojë për projekte në emër të shoqatës dhe t’i drejtojë ato në
përputhje me objektivat e tij dhe parimin e transparencës së veprimtarisë, sipas
procedurave të vendosura nga Kryesia.
Të monitorojë gjithë veprimtarinë organizative, shkencore dhe ekonomike
të shoqatës, të informohet për gjithçka bëhet në kuadrin e organizatës.
5.3 Anëtarë kolektivë marrin pa pagesë periodikët shkencorë të SHSSH
dhe kanë hapësira në sajtin zyrtar të saj.
5.4 Çdo anëtar ka për detyrë:
Ta pranojë statutin, të punojë për zbatimin e tij e të paguajë kuotizacionin;
Të punojë për ngritjen e imazhit publik e të autoritetit të shoqatës;
5.5 Çdo anëtar i SHSSH ka të drejtë të largohet prej saj, pa qenë i
detyruar të japin shpjegime. Në rast largimi, ai ka pjesën e përgjegjësisë që i
takon lidhur me detyrimet e organizatës kundrejt të tretëve, deri në çastin e
largimit të tij.
5.6 Përjashtimi nga SHSSH është masa më e skajshme. Ai vendoset nga
Kryesia për shkelje të rënda të statutit, disiplinës financiare, Kodit të Etikës ose
për mospjesëmarrje të pajustifikuara e për një kohë të gjatë.

Neni 6: Anëtarësia në organizatat ndërkombëtare

6.1 SHSSH është anëtar i rregullt dhe kolektiv i Shoqatës Ndërkombëtare
të Sociologjisë (International Sociological Association, ISA), i Shoqatës
Europiane të Sociologjisë (European Sociological Association, ESA), si dhe i
Forumit Sociologjik të Ballkanit (Balkan Sociological Forum, BSF).
6.2 SHSSH mund të bëhet anëtar kolektiv edhe i institucioneve të tjera
ndërkombëtare. Kërkesa për anëtarësime kolektive bëhet nga Kryesia. Ajo u
përmbahet parimeve mbi të cilat janë organizuar institucionet dhe shoqatat
ndërkombëtare, anëtar i të cilave është, si dhe përmbush detyrimet që burojnë
nga këto anëtarësime.
6.3 Kryesia e SHSSH zgjedh delegatët që do të përfaqësojnë atë në ISA,
ESA, BSF apo në institucione të tjera ndërkombëtare në të cilat ai është anëtar
kolektiv. Afati i mandatimit të tyre përputhet me kërkesat e statuteve të
institucioneve respektive.
6.4 Sekretari Ekzekutiv i SHSSH është personi i kontaktit në
marrëdhënien me institucionet dhe shoqatat në të cilat ajo është anëtar kolektiv.

Neni 7: Seksionet Tematike (ST)

7.1 ST përfaqësojnë fushat, degët e nëndegët e sociologjisë dhe
shkencave të tjera të afërta me të. Parimi kryesor i ndërtimit të tyre është afërsia
tematike.
7.2 ST vetorganizohen për përmbushjen e objektivave të tyre, për
administrimin e fondeve që sigurojnë, për bashkëpunimin me institucione të
4
ndryshme, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme, në përputhje me parimet e
SHSSH.
7.3 ST përbëhen nga anëtarë të kategorive të ndryshme, por që kanë
interesa të përbashkëta akademike. Regjistrimi në ST (vetë)deklarohet nga
anëtarët. Çdo anëtar mund të largohet nga një ST, për çfarëdo motivi.
7.4 Komunikimi midis anëtarëve të ST bëhet on-line, si dhe përmes
kontakteve të drejtpërdrejta, forumeve etj. Çdonjëri nga Seksionet Tematike
organizon të paktën një aktivitet në vit.
7.5 Për drejtimin e tyre, ST zgjedhin një Kryetar dhe një nënkryetar,
bazuar në një rregullore të miratuar nga Kryesia.
7.6 Kryetarët e ST-ve formojnë Këshillin e Seksioneve Tematike (KST), i
cili drejtohet nga Zëvendëspresidenti për Seksionet Tematike.
7.7 KST voton katër përfaqësues për Kryesinë e SHSSH, me nga dy
alternativa, sipas një procedure të miratuar nga Kryesia.
7.8 Çdo KST mblidhet me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së
anëtarëve dhe vendos me shumicën e anëtarëve të pranishëm.

Neni 8: Këshilli i Degëve Rajonale

8.1 Këshilli i Degëve Rajonale (KDR) përfaqëson degët rajonale dhe
anëtarët kolektivë të SHSSH.
8.2 KDR përbëhet nga Zëvendëspresidenti për Degët Rajonale (i cili e
kryeson atë), si dhe nga një delegat për çdo degët rajonale, organizatë lokale
apo anëtar kolektiv.
8.3 KDR mblidhet me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve
dhe vendos me shumicën e anëtarëve të pranishëm.
8.4 KDR voton katër përfaqësues të tyre për Kryesinë e SHSSH, me nga
dy alternativa, sipas një procedure të miratuar nga Kryesia.
8.5 KDR zhvillon jo më pak se një mbledhje të rregullt në vit. Si rregull, ajo
përkon me Asamblenë e SHSSH.
8.6 Degët rajonale vetorganizohen për përmbushjen e objektivave të tyre,
për administrimin e fondeve që sigurojnë, për bashkëpunimin me institucione të
ndryshme, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme, në përputhje me parimet e
SHSSH.
8.7 Veprimtaria e degëve rajonale bazohet në rregulloren e tyre. Ato
zgjedhin drejtuesit (kryetar dhe nënkryetar), me një mandat dyvjeçar.
8.8 Çdo degë rajonale zhvillon jo më pak se një mbledhje të rregullt në vit.
Si rregull, ajo përkon me aktivitetin vjetor të saj.

Neni 9: Organet drejtuese të SHSSH

9.1 Asambleja, mbledhja e përgjithshme e anëtarëve, është organi më i
lartë drejtues i shoqatës. Ajo mblidhet jo më pak se një herë në dy vjet.
9.2 Organe të tjera drejtuese të saj janë: Kryesia (Bordi Ekzekutiv),
Këshilli i Seksioneve Tematike (KST), Këshilli i Degëve Rajonale (KDR),
Komisioni i Anëtarësisë e Financave (KAF) dhe Komisioni i Botimeve (KB).

Neni 10: Asambleja e SHSSH

10.1 Asambleja përcakton fushat e veprimtarisë së shoqatës, mbikëqyr e
kontrollon realizimin e tyre, si dhe zgjedh Kryesinë e saj.
10.2 Asambleja mblidhet me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së
anëtarëve dhe vendos me shumicën e anëtarëve të pranishëm.
10.3 Vendimet e Asamblesë mund të merren edhe me votim elektronik.
Votimet referendare (referendumet), janë votime që organizohen për çështje të
caktuara me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve. Vendimet për referendume
merren nga Kryesia, ose nga të paktën 10 (dhjetë) anëtarë.
10.4 Jo më vonë se gjashtë muaj para Asamblesë, Këshilli i Seksioneve
Tematike (KST) dhe Këshilli i Degëve Rajonale (KDR) zgjedhin Komisionin
përkatës të përzgjedhjes së Kandidaturave (KK), me nga pesë anëtarë. Çdo KK
zgjedh kryetarin e tij. Në KK nuk mund të bëjnë pjesë më shumë se dy anëtarë të
Kryesisë.
10.5 KK-të kanë për detyrë të përzgjedhin kandidatët për Kryesinë, që do
t’i paraqiten për votim asamblesë. Çdo i propozuar duhet të jetë anëtar në pozita
korrekte, të paktën nga asambleja e mëparshme.
10.6 Votimet për Presidentin, Zëvendës-presidentët dhe anëtarët e tjerë të
Kryesisë bëhen të fshehta, me fletë votimi.

Neni 11: Kryesia

11.1 Kryesia (Bordi Ekzekutiv), është organi më i lartë drejtues midis
asambleve. Ajo përbëhet nga 13 anëtarë, që janë: Presidenti i SHSSH,
Zëvendës-Presidenti për Seksionet Tematike, Zëvendës-Presidenti për Degët
Rajonale, katër përfaqësues të Seksioneve Tematike, katër përfaqësues të
Degëve Rajonale, një përfaqësues i Komisionit të Anëtarësisë e Financave dhe
një përfaqësues i Komisionit të Botimeve.
11.2 Kryesia mblidhet me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së
anëtarëve dhe vendos me shumicën e anëtarëve të pranishëm. Vendimet e
Kryesisë mund të merren edhe on-line, si vendime qarkulluese, me përjashtim të
rasteve kur votohet nominalisht për individë.
11.3 Kryesia zgjidhet nga Asambleja, me një mandat dyvjeçar, me votim
të fshehtë (me kuti), mbi bazën e propozimeve alternative të Komisionit të
përzgjedhjes së Kandidaturave (KK). I njëjti person nuk mund të zgjidhet në
Kryesi më shumë se dy herë radhazi.
11.4 Kryesia miraton, shpall dhe ndjek zbatimin e objektivave vjetore të
SHSSH, vendos procedurat e aplikimeve për projekte, vendos rregullat e
përfaqësimit të SHSSH në institucionet ndërkombëtare ku është anëtar kolektiv,
shqyrton aplikimet e vendos për anëtarët kolektivë dhe thërret mbledhjen e
Asamblesë.

Neni 12: Presidenti dhe zëvendëspresidentët

12.1 Presidenti është autoriteti më i lartë i SHSSH. Ai drejton mbledhjet e
Asamblesë e të Kryesisë, si dhe nënshkruan vendimet që merren prej tyre.
12.2 President dhe zëvendës-president i SHSSH mund të zgjidhet çdo
anëtar i Asamblesë, në pozita korrekte të paktën nga Asambleja paraardhëse. Ai
duhet të ketë gradë apo titull shkencor.
12.3 Presidenti i SHSSH është anëtar pa të drejtë vote i KST, KDR, KAF
dhe KB.

Neni 13: Komisioni i botimeve

13.1 SHSSH nxit botimin e krijimtarisë së fushës, organizon aktivitete dhe
realizon botime. Ajo boton një ose më shumë periodikë shkencorë, në trajtë të
printuar apo elektronike, të veçantë ose të përbashkët me institucione të tjera.
13.2 Komisioni i Botimeve (KB) është organi që drejton botimet dhe
veprimtaritë shoqëruese. Ai drejtohet nga kryetari i tij dhe përbëhet nga jo më
shumë se pesë anëtarë, të emëruar nga Kryesia, me propozim të kryetarit të KB.
13.3 Kriteret e botimit të periodikëve shkencorë, emri, periodiciteti, tirazhi,
redaksia etj., për çdo rast vendosen nga Kryesia, me propozim të KB. Revista
shkencore vepron si njësi me llogari më vete.

Neni 14: Konferencat e SHSSH

14.1 SHSSH zhvillon konferencën vjetore të saj, të veçantë apo të
përbashkët me institucione të tjera. Ftesa për pjesëmarrje bëhet e hapur dhe
njoftohet jo më vonë se një vit para zhvillimit të saj.
14.2 Vendi i zhvillimit të konferencave përcaktohet me ftesë të hapur për
universitete, institucione e shoqata vendase apo të huaja. Publikimi i thirrjeve për
organizimin e konferencave bëhet jo më vonë se dy vjet para zhvillimit të saj.
Vendimi për konferencën merret nga Kryesia, mbi bazën e propozimeve të
hapura, jo më vonë se një vit para zhvillimit të saj.
14.3 Organizimi i konferencave vjetore është përgjegjësi e përbashkët e
organeve drejtuese të SHSSH. Komisioni shkencor dhe komisioni lokal i
organizimit të çdo konference miratohet nga Kryesia, jo më vonë se gjashtë muaj
para zhvillimit të saj.

Neni 15: Burimet financiare dhe Komisioni i Anëtarësisë e Financave

15.1 Burimet financiare të SHSSH janë: të ardhurat nga kuotizacioni,
fonde, grande apo donacione, të ardhurat nga konferencat, veprimtaria botuese,
shërbimet e pasuritë në pronësi të shoqatës (nëse do të ketë të tilla).
15.2 Komisioni i Anëtarësisë e Financave (KAF) është organi që drejton
anëtarësimet dhe financat. Ai përbëhet nga jo më shumë se pesë anëtarë, të
emëruar nga Kryesia. KAF drejtohet nga Kryetari i tij.
15.3 Sekretari Ekzekutiv i shoqatës është sekretar i KAF. Ai mban llogaritë
e shoqatës, si dhe harton raportin vjetor financiar. KAF raporton çdo vit para
Kryesisë për anëtarësinë dhe financat.

Neni 16: Sekretari Ekzekutiv; Sekretariati

16.1 Sekretari Ekzekutiv është përfaqësuesi ligjor i SHSSH. Ai emërohet
nga Kryesia, me një mandat katërvjeçar, me mundësi përsëritjeje.
16.2 Sekretari Ekzekutiv ndjek veprimtarinë e përditshme të SHSSH dhe
është personi i kontaktit të saj; është administrator i zyrave, mban regjistrin
themeltar të anëtarëve dhe vlerëson pozitën e tyre, mban korrespondencën,
arkivin, bibliotekën, vulën dhe llogarinë financiare; është administrator i faqes
zyrtare të shoqatës dhe i rrjeteve të saj.
16.3 Sekretari Ekzekutiv ndihmon organet dhe drejtuesit e SHSSH për
transmetimin e përvojës, si dhe drejton sekretariatin (nëse numri i të punësuarve
është më shumë se një).

Neni 17: Instituti i Sociologjisë

Instituti i Sociologjisë (IS) është qendër kërkimi në partneritet me SHSSH.
IS drejtohet nga Bordi i Drejtuesve, që përbëhet nga jo më shumë se pesë
persona: drejtori ekzekutiv, drejtori akademik, drejtori i botimeve etj. Veprimtaria
e tij bazohet në një rregullore (statut) të veçantë.

Neni 18: Kohëzgjatja dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve

18.1 Kohëzgjatja e SHSSH është e pakufizuar. Ndërprerja e veprimtarisë
ndodh kur ajo nuk arrin numrin minimal të anëtarëve ose me vendim të gjykatës,
sipas ligjit. Në këto raste, shpërbërja bëhet mbi bazën e procedurave ligjore.
18.2 Pasuria e Shoqatës, në rast shpërndarjeje, do t’u kalojë në mënyrë
proporcionale, OJF-ve homologe që veprojnë në territorin e Republikës së
Shqipërisë dhe kanë fusha veprimtarie të përbashkëta, ose të ngjashme.
Përjashtim nga ky rregull bëjnë organizatat, me të cilat SHSSH ka pasur
projekte dhe programe të përbashkëta, të cilave në mënyre preferenciale u
kalon 40 për qind e aktivit.
18.3 Mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve dhe strukturave të SHSSH
zgjidhen me mirëkuptim, në përputhje me këtë statut dhe me rregullat e tjera të
shoqatës. Në të kundërt, çështja zgjidhet nga gjykata.

Neni 19: Ndryshimi i statutit, vula, stema

19.1 Ndryshimi i statutit bëhet nga Asambleja, me shumicën e thjeshtë të
anëtarëve. Iniciativa për ndryshimet në statut mund të merren nga organet
drejtuese të SHSSH, çdo seksion tematik, degë rajonale, apo nga një grup prej
dhjetë anëtarësh.
19.2 Vendimi për ndryshimin e statutit merret jo më vonë se gjashtë muaj
para Asamblesë dhe procedura e ndryshimit të tij përfundon jo më vonë se dy
muaj para mbledhjes së saj.
19.3 SHSSH ka vulën dhe stemën e saj. Ajo ka faqen në internet dhe
rrjetet sociale, ku pasqyron veprimtarinë e saj.