
Neni 4: Anëtarët
4.1 Anëtarët e SHSSH janë individë ose anëtarë kolektivë. Ata mund të jenë anëtarë të rregullt ose korrespondentë.
4.3 SHSSH është institucion i hapur për të gjithë ata individë që punojnë, krijojnë, japin mësim apo studiojnë për sociologji apo disiplina të afërta me të, pa dallime për shkak të bindjeve personale, përkatësive partiake, gjinore, fetare, etnike, pasurore etj. Vlerësimi për individët bëhet nga Komisioni i Anëtarësisë e Financave.
4.4 Anëtarët me moshë mbi 65 vjeç konsiderohen anëtarë të përhershëm. Ata konsiderohen në pozita korrekte nga çasti i anëtarësimit, ose për anëtarët efektivë, nga koha kur ata mbushin moshën 65 vjeç.
4.5 Anëtarë Nderi të SHSSH mund të jenë individë, shqiptarë ose të huaj, me veprimtari të spikatur shkencore e botuese, apo me kontribute të tjera të veçanta kundrejt saj. Vendimet për anëtar nderi merren nga Asambleja.
4.6 Anëtarë korrespondentë mund të jenë individë me cilësi të afërta me anëtarët e asamblesë por që nuk jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe profesionistë të fushave të tjera me krijimtari apo kontribute që përkojnë me objektin e veprimtarisë së shoqatës.
4.7 Anëtarë studentë janë individë që studiojnë për sociologji apo shkenca të afërta me të. Ata formojnë seksionin e studentëve.
Neni 5: Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve
5.1 Anëtari i SHSSH vlerësohet se është në pozitë korrekte (good standing) nëse paguan kuotizacionin e anëtarësisë dhe voton sipas statutit. Kuotat e anëtarësisë përcaktohen nga Kryesia, me propozim të Komisionit të Anëtarësisë e Financave.
5.2 Çdo anëtar në pozita korrekte ka të drejtë:
(1) Është anëtar kolektiv i ESA dhe ISA;
(2) merr buletinet mujore të ESA dhe ISA;
(3) merr pjesë pa pagesë në konferencat vjetore ndërkombëtare të ISSH-SHSSH;
(4) boton me tarifë të reduktuar prej 30 % në revistën Studime Sociale [Social Studies], revistë shkencore e certifikuar me Vendim Nr. 170, datë. 20.12.2010 nga MASH/KVTA;
(5) merr pa pagese numrat e revistës ndërkombëtare “Global Dialogue”
(6) merr pa pagesë revistën dhe periodikë të tjerë shkencorë të SHSSH-ISSH;
(7) përfaqëson SHSSH në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare të ISA dhe ESA, duke respektuar rregullat e përfaqësimit;
(8) merr pjesë në 1-3 Seksione Tematike/Departamente;
5.3 Anëtarë kolektivë marrin pa pagesë periodikët shkencorë të SHSSH dhe kanë hapësira në sajtin zyrtar të saj.
5.4 Çdo anëtar ka për detyrë:
- Ta pranojë statutin, të punojë për zbatimin e tij e të paguajë kuotizacionin;
- Të punojë për ngritjen e imazhit publik e të autoritetit të shoqatës;
5.5 Çdo anëtar i SHSSH ka të drejtë të largohet prej saj, pa qenë i detyruar të japin shpjegime. Në rast largimi, ai ka pjesën e përgjegjësisë që i takon lidhur me detyrimet e organizatës kundrejt të tretëve, deri në çastin e largimit të tij.